TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Porti i Durrësit ka vijuar rritjen e aktivitetit tregtar gjatë vitit 2026, me rreth 2,4 milionë tonë mallra të përpunuara në periudhën janar-korrik, 6,7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, rritja është mbështetur veçanërisht nga transporti me kontejnerë, ku volumi i mallrave të kontejnerizuara, në importe dhe eksporte, është rritur me rreth 28%.
Të dhënat tregojnë një zgjerim të flukseve tregtare përmes portit, ndërsa rritja e aktivitetit të kontejnerëve vijon të jetë një nga treguesit kryesorë të performancës portuale.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, nga Porti i Durrësit janë përpunuar 744.782 tonë mallra për eksport, ose rreth 39% më shumë krahasuar me periudhën janar-korrik 2025.
Rritja është mbështetur veçanërisht nga volumi i mallrave të eksportuara me kontejnerë, ndërsa transporti i mallrave përmes anijeve ka ruajtur një ecuri të qëndrueshme.
Në kahun e importeve janë përpunuar 1,7 milionë tonë mallra, me një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Transporti me kontejnerë vijon të jetë segmenti me ritmin më të lartë të rritjes.
Gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë përpunuar 1,5 milionë tonë mallra të kontejnerizuara, importe dhe eksporte ose rreth 28% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
/e.xh/j.p/r.e/






















