Ballina Bota

FOKUS – Propozimet amerikane, evropiane dhe ukrainase për paqen

MOSKË, 25 prill /ATSH-ANSA/ – Plani i paqes për Ukrainën i propozuar nga SHBA-të përfshin njohjen ‘de jure’ amerikane të Krimesë si territor rus dhe njohjen ‘de facto’ të kontrollit rus mbi zonat aktualisht të pushtuara nga Moska.

Agjencia britanike e lajmeve, Reuters, që ka parë dokumentin, e shkruan këtë në faqen e saj të internetit.

SHBA-ja gjithashtu propozon heqjen e sanksioneve të miratuara kundër Rusisë që nga viti 2014.

Kundërpropozimi i Kievit dhe evropianëve është që në vend të kësaj të shtyhen negociatat mbi aspektet territoriale deri pas një armëpushimi dhe “një lehtësim gradual i sanksioneve pasi të arrihet një paqe e qëndrueshme”.

Reuters raporton se dokumenti amerikan iu dorëzua përfaqësuesve evropianë më 17 prill, në një takim në Paris nga i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff.

Përgjigjja u finalizua në një takim të përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas, në Londër më 23 prill, dhe iu dorëzua Uashingtonit.

Edhe për garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën, qëndrimet ndryshojnë.

Dokumenti amerikan i paraqitur nga Witkoff flet në mënyrë të përgjithshme për “garanci të forta sigurie” që duhet t’i shohin evropianët dhe vendet e tjera mike si garantues, por përjashton hyrjen e Kievit në NATO.

Kundërpropozimi është më specifik dhe thotë se nuk duhet të ketë kufizime për forcat ukrainase dhe asnjë kufizim në vendosjen e forcave ushtarake të aleatëve të Kievit në Ukrainë.

Për më tepër, evropianët dhe ukrainasit po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të veprojnë gjithashtu si garantuese dhe po propozojnë një marrëveshje që do të përfshinte zbatimin e Nenit 5 të NATO-s në Ukrainë.

Dokumenti evropian dhe ukrainas kërkon gjithashtu që Kievi të marrë kompensim financiar për dëmet e pësuara në konflikt nga kapitali rus i ngrirë jashtë vendit.

Ndërsa propozimi i Uashingtonit flet në mënyrë të përgjithshme për kompensim pa treguar burimin e financimit./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKarçanaj në Bruksel: Me Inteligjencën Artificiale menaxhohen 60% e incidenteve kibernetike
Artikulli tjetërBSH: Investimet, turizmi dhe konsumi nxitën rritjen e ekonomisë me 4,1%