Ballina Aktualitet

Spiropali përjashton deputetin Noka pasi tentoi të godiste Ballën

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Seanca plenare është përfshirë nga debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë fjalës së ministrit për Shtetin për Marrëdhënien me Parlamentit Taulant Balla, nënkryetari i Partisë Demokratike Flamur Noka ka qëlluar me shishe uji në drejtim të ministrit socialist. Ndërhyrja e Gardës bëri të mundur largimin e Nokës.

Në këtë moment kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ndërpreu seancën plenare dhe përjashtoi nga Kuvendi deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka.

“Ndërpritet seanca,  Noka jeni i përjashtuar”, tha Spiropali.

Edhe deputeti Petrit Doda tentoi të çante gardhin e punonjësve të Gardës, ndërsa hodhi edhe kabullin e mikrofonit në drejtim të Spiropalit.

Tensionet mes deputetëve nisën kur kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërkoi sërish fjalën por Spiropali vijoi me rendin duke ia dhënë deputetes Gjylameti.

Pasi fjalën e mori ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla,. deputetë demokratë fillimisht tentuan që të bllokojnë foltoren.

“Në 11 maj të gjitha humbjet që keni pasur deri më sot do të quhen lule. Janë qesharakët më të mëdhenj. Ju përdor ai bufi i kënetës, por ta harroni se ne socialistët do t’ju mundim më thellë se asnjëherë të tjetër”, u shpreh Balla.

Pas tij fjalën e mori kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi i cili tha se “në këtë sallë nuk ka prioritet ushtari i Suel Çelës para deputeteve. Më 11 maj të garantoj unë se t’i nuk e arrin dot 11 majin”.

Duke iu referuar ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Bardhi tha se ai fyeu demokratët. Deputeti demokrat po ashtu kërkoi që kryeministri të zbatojë ligjin për qeverisjen vendore dhe të shkarkojë kryetarin e bashkisë së Tiranës.

“Ju keni vendosur të vini në seancë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Të vish këtu dhe të bësh avokatinë e një njeriu të korruptuar që sot është në burg jo pa prova, por me prova si në asnjë dosje tjetër, që ka sjellë SPAK. Ky kryeministër të zbatojë ligjin për qeverisjen vendore dhe të lironte zyrën që mban peng të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Seanca do duhet të ketë vetëm një diskutim zbatimin e ligjit nga kryeministri për të shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë së Tiranës”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër ministri socialist Ulsi Manja, kërkoi ndjesë për frazën e përdorur nëse është keqkuptuar nga demokratët.

“E dalë nga konteksti mos i merrni shqiptarët për budallenj, në këtë sallë është përdorur dhjetëra e dhjetëra me radhë. Por nëse është kuptuar që demokratët që të marrin për mbrapa janë budallenj sigurisht që Ulsi Manja nuk bën pjesë tek ata njerëz që ka fyer ndonjëherë në këtë parlament ndonjë njëri. Padiskutim nëse është kuptuar kështu, jashtë kësaj salle patjetër që kërkoji falje. Kam 12 vite në këtë sallë dhe nuk di një herë të kem hyrë dhe të kem ofenduar ndonjë koleg në këtë sallë e jo më ti kem hyrë të pragu i shtëpisë e pragu i familjes”, tha Manja.

Manja shtoi se më tej se “sa për atë fjalë kriminel elektoral dhe që nuk di as shkrim as këndim, nuk jemi këtu për të treguar “kush jam unë e kush je ti”. Bëj pjesë në atë gjeneratë të studentëve të fakultetit të Drejtësisë ’92-96 që kam mbaruar me të gjitha 10. Dosja 184 ka qenë në duar të drejtësisë, është në duar të drejtësisë e ka dhënë verdiktin drejtësia, por një gjë është e vërtetë si drita e diellit, sa të jem në politikë nuk do të rëndoj në jetë njerëzish dhe as në gjak shqiptarësh”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja: Koha e gjyqeve publike që Berisha i ka në ADN, ka marrë fund
Artikulli tjetërRama: Me inteligjencën artificiale, Shqipëria teknikisht gati për anëtarësim në BE brenda vitit 2027