TIRANË, 4 janar/ATSH/ Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës, ndërsa situata paraqitet e qetë dhe rrugët kombëtare janë të kalueshme.
Prefekti i qarkut Kukës, Agron Geca tha për ATSH-në se “i gjithë territori i Qarkut Kukës nga ora 01:00 e datës 04.01.2025 është përfshirë nga reshje bore me intensitet mesatar. Në këto momente reshjet janë ndaluar. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me goma dimërore”.
Sipas tij, subjektet kontraktore vazhdojnë punën me të gjitha kapacitetet për pastrimin nga bora, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Prefekti Geca informoi se “nga informacioni i marrë nga Përgjegjësit e Emergjencave Civile të bashkive Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente, rrugët janë të kalueshme”.
I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç njësisë administrative Surroj, fshatrat Novosej, Turaj, njësisë administrative Shishtavec, fshatrat Qam dhe Mgullë, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës.
Prefekti Geca tha se “furnizimi me ujë të pijshëm është normal në gjithë qarkun”.
/k.s/






















