Ballina Bota

RUSI – Putin i hapur ndaj Sllovakisë si ndërmjetëse për bisedimet e paqes me Ukrainën

MOSKË/BRATISLAVË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia është e hapur që Sllovakia të presë bisedimet e mundshme të paqes që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Putin u tha gazetarëve në veri të Shën Petërburgut se kryeministri sllovak Robert Fico e bëri propozimin gjatë vizitës së tij në Moskë të dielën e kaluar, duke sugjeruar Sllovakinë si një vend për negociata.

Kreu i Kremlinit vuri në dukje qëndrimin neutral të Sllovakisë si një faktor që e bën atë një vend të përshtatshëm për diskutime të tilla.

Megjithatë, komentet e Putinit kanë shkaktuar kundërshtim të fortë në Sllovaki.

Michal Simecka, kreu i partisë më të madhe opozitare, e kritikoi idenë në një postim në Facebook, duke e quajtur “absurde” që politika e jashtme e Sllovakisë të komunikohet nga dikush tjetër përveç qeverisë së tyre.

Ai iu referua Putinit si kriminel.

“Nëse Fico dëshiron paqe, ai së pari duhet t’i kërkojë Putinit të ndalojë sulmet e tij dhe të ndalojë vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Ukrainë”, tha Simecka.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme në Bratislavë konfirmoi të enjten në mbrëmje në një deklaratë të disponueshme për dpa se ishte ofruar të shërbente si një vend për bisedimet e mundshme të paqes ruso-ukrainase.

”Sllovakia i kishte përcjellë vullnetin e saj qeverisë ukrainase më herët në tetor”, tha ministria, duke theksuar angazhimin e saj për një zgjidhje joushtarake dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në përpjekjet për paqe./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 27/12/2024
Artikulli tjetërMbi 90 mijë persona nga diaspora u regjistruan për votime në Kosovë