Ballina Aktualitet

Hasani: Asnjë diplomat, ambasador apo burim financiar i përfshirë në aktivitet politik

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se asnjë diplomat, ambasador, burim financiar apo njerëzor i shtetit shqiptar, kudo në botë, nuk është përfshirë në aktivitete të partive politike.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Hasani vuri në dukje se kushdo që ka parë dhe datat, dhe orët e angazhimit të ndonjë subjekti politik, është e qartë që aktivitetet janë zhvilluar në fundjavë.

“Asnjë diplomat, asnjë ambasador nuk ka dhe nuk do të kryejë angazhime politike dhe elektorale. Të gjithë kolegët e mi diplomatë veprojnë në respekt të ligjit dhe detyrimeve që ata kanë si pjesë e Shërbimit të Jashtëm, por edhe pjesë e administratës civile. Asnjë burim financiar apo njerëzor nuk është vënë në funksion të asnjë fushate. Kushdo që ka parë dhe datat, dhe orët e angazhimit të ndonjë subjekti politik, është e qartë që aktivitetet janë zhvilluar në fundjavë“, deklaroi Hasani.

Hasani solli në vëmendje se pjesëmarrja e diplomatëve në takimet e autoriteteve shqiptare me diasporën nuk janë në funksion të politikës.

“Mund të vazhdojmë të tregojmë histori se si një ambasador i Republikës së Shqipërisë edhe është vetofruar në një nga takimet që opozita zhvilloi me diasporën, por opozita nuk i çoi kontaktet apo vendin e mitingut”, tha ai.

Ministri theksoi se diaspora do të votojë, dhe akuzat e opozitës i lidh me rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të përgjithshme të majit.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që diaspora do të votojë dhe mekanizmat që KQZ po ngre, janë ato që do të përcaktojnë edhe mënyrat se si do të bëhet kjo e mundur. E rëndësishme është që mos të fillojmë të ankohemi për humbjen, megjithëse humbja është evidente gjashtë muaj para”, u shpreh ministri Hasani.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSEUL – Parlamenti i hap dritën jeshile shkarkimit të presidentit Han
Artikulli tjetër“Arrëthyesi”, përralla e dashur që mbush TKOB çdo fundviti