TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike do të zhvillojë pasditen e sotme, në orën 17:00, një protestë, ku pritet të bllokohen disa akse rrugore.
Akset që pritet të bllokohen janë rruga pranë bashkisë së Tiranës, rrethrrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek Rruga e Elbasanit, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.
Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë.
Policia e Shtetit është përgjigjur se garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.
Në përgjigjen e kthyer PD-së, Policia thotë se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet.
Pas gati një viti për herë të parë mes protestuesve në shesh pritet të jetë dhe kryetari i PD, Sali Berisha, i cili prej 27 nëntorit 2024 rifitoi lirinë pasi GJKKO i revokoi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” në lidhje me dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion.
Protesta e fundit e opozitës ishte më 26 nëntor, zgjati tri orë dhe paralizoi disa nga nyjet kryesore lidhëse në kryeqytet.
/a.f/r.e/




















