Ballina Ekonomi

Kaçi: Licencojmë kompaninë e pestë në tregun e sigurimit të jetës

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) do të licencojë javën e ardhshme shoqërinë “Vienna Life Insurance” për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e jetës në tregun shqiptar.

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi gjatë takimit të fundvitit me përfaqësues të medieve në vend, e cilësoi atë një lajm të mirë.

“Vienna Life Insurance” bëhet kompania e pestë e licencuar për të ofruar produkte të sigurimit të jetës në tregun tonë. Aktualisht operojnë në treg kompanitë Sigal Life, Albsig Jetë, Sicred dhe INSIG jetë.

Primet nga sigurimet e Jetës, gjatë periudhës janar – tetor 2024, arritën rreth 1635 milionë lekë, ose 8,54% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Deri në fund të tetorit, kompanitë e sigurimit kanë paguar 283 milionë lekë dëme.

Tregu i sigurimit të jetës në vendin tonë është modest dhe mbështetet kryesisht në sigurimin e jetës së debitorit, ose kredimarrësit, një detyrim ky nga bankat për këdo që merr një kredi.

Ngjarje e siguruar në sigurimin e jetës mund të jetë: vdekja, paaftësia e përkohshme apo e përhershme dhe mbijetesa. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGashi: Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin në të mirën e shqiptarëve
Artikulli tjetërYlli pret Asimakopoulos: Akadamia Olimpike Shqiptare, prej më aktiveve në shërbim të olimpizmit