BRUKSEL, 20 dhjetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian propozoi sot pezullimin e privilegjit të vizave për zyrtarët gjeorgjianë – për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave pro-evropiane në vend.
“Sot ne po ndërmarrim veprime për t’i vendosur autoritetet gjeorgjiane përballë përgjegjësisë për shtypjen e dhunshme të protestave paqësore”, tha kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas.
Partia “Ëndrra Gjeorgjiane”, miqësore me Kremlinin pretendon se ka fituar zgjedhjet parlamentare në tetor – përpara se të njoftonte se qeveria gjeorgjiane do të ndalonte përpjekjet për t’u bashkuar me bllokun.
Demonstratat masive të mëvonshme u shoqëruan me dhunë policore dhe arrestime masive.
Propozimi dërgon një mesazh të qartë për autoritetet gjeorgjiane se ato nuk mund të “shtypin” zërin e opozitës apo të kufizojnë lirinë e shprehjes pa u përballur me pasoja”, tha Kallas.
Nëse vendet anëtare të BE-së bien dakord, diplomatët gjeorgjianë, zyrtarët dhe anëtarët e familjeve të tyre – nuk do të mund të udhëtojnë më pa viza në bllok për qëndrime të shkurtra – dhe nuk do të kenë më të drejtë për aplikime për viza afatgjata.
Sipas vendimit të propozuar, mbajtësit e pasaportave të zakonshme gjeorgjiane do të jenë ende në gjendje të udhëtojnë në BE për qëndrime të shkurtra pa vizë.
Planet e mëparshme për vendosjen e sanksioneve të BE-së ndaj atyre që janë përgjegjës për dhunën në Gjeorgji u bllokuan nga Hungaria dhe Sllovakia. //a.i/























