Ballina Aktualitet

Rama: Rritje me 100 milionë euro e dërgesave të emigrantëve në 2024-ën

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme edhe në aspektin e drejtpërdrejt financiar për vendin.

Në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Rama solli në vëmendje disa statistika që dëshmojnë këtë fakt.

Kryeministri theksoi se këtë vit, Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro krahasuar me një vit më parë.

“Janë afro 100 milionë euro plus nga një vit më parë ku dërgesat më të mëdha janë nga Italia, Greqia dhe SHBA”, theksoi Rama.

Kjo, sipas tij, “i bashkohet prurjes domethënëse të të ardhurave të rritjes sonë ekonomike që është rezultat patjetër i një sërë reformash të rëndësishme, por mbi të gjitha rezultat i pozicionimit të ri politik të Shqipërisë”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëshilli Koordinues, Hasani: Mbi 5 mijë tekste mësimore në diasporë, rreth 20 mijë nxënës mësojnë shqip
Artikulli tjetërOsmani: E ardhmja e Kosovës në BE e pashmangshme