Ballina Flash

Kumbaro: Të rinj vullnetarë dhe donatorë i bashkohen aktiviteteve pyllëzuese

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se në Vitin Kombëtar të Pyjeve, nismës në aktivitetet pyllëzuese në të gjitha bashkitë e vendit i janë bashkuar edhe shumë të rinj vullnetarë, student dhe donatorë që kanë dhënë mbështetjen e tyre.

“Me nisjen e aktiviteteve pyllëzuese në të gjithë vendin, ka nisur edhe një angazhim masiv në të gjitha bashkitë, ku punës së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe stafeve të bashkive i janë bashkuar studentë, të rinj vullnetarë e donatorë duke u bërë një mbështetje e jashtëzakonshme në realizimin e kalendarit të pyllëzimeve. Mirënjohëse për kontributin e gjithësecilit në Vitin Kombëtar të Pyjeve”, thotë Kumbaro në një postim në Facebook.

Ministrja Kumbaro edhe më herët ka theksuar se pas një pune shumë të madhe për promovimin e turizmit gjithëvjetor, mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i qëndrueshëm marrin një përparësi të veçantë, në një kohë që ruajtja e biodiversitetit është më e rëndësishme se kurrë. Kumbaro është shprehur se qeveria shqiptare ka marrë vendime të guximshme, si rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në mbi 21% të territorit.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE kundër Hungarisë për ndalimin e riprodhimit të asistuar
Artikulli tjetërFOKUS – Spanja tejkalon rekordin vjetor të emigrantëve