BRUKSEL, 13 dhjetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e anëtarëve kryesorë evropianë të NATO-s do të diskutojnë javën e ardhshme, mbështetjen e mëtejshme për Kievin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Bruksel.
“Takimi, i organizuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, synon të diskutojë gjithashtu garancitë e mundshme të sigurisë në rast të një armëpushimi”, thanë burimet.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe krerët e Francës, Britanisë se Madhe, Italisë dhe Polonisë do të marrin pjesë të mërkurën në bisedimet e nivelit të lartë.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjithashtu do të marre pjesë.
Lideret do të diskutojnë mënyrat se si mund të monitorohet një armëpushim i mundshëm në Ukrainë, duke përfshirë forcën paqeruajtëse ndërkombëtare.
Takimi zhvillohet në sfondin e fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, mes frikës se administrata e tij mund të përpiqet të bëjë presion ndaj Ukrainës për negociata me Rusinë.
Për shembull, Trump mund të kërcënojë Ukrainën me ndalimin e ndihmës ushtarake në rast të refuzimit për të filluar bisedimet e paqes.
Gjermania dhe vendet e tjera evropiane u zotuan dje t’i ofrojnë Ukrainës garanci të qëndrueshme sigurie nëse negociatat për armëpushim zhvillohen pasi Trump të marrë detyrën.
Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” raportoi se Trump i kishte sugjeruar presidentit francez Emmanuel Macron që trupat evropiane të monitoronin armëpushimin e ardhshëm në Ukrainë.
Kryeministri polak Donald Tusk, megjithatë, hodhi poshtë raportet e medieve dje se vendi i tij dëshiron të marrë pjesë në një forcë paqeruajtëse pas përfundimit të luftës në Ukrainë. //a.i/






















