Ballina Flash

Mazniku: Startup-et në Elbasan, zgjidhje inovatore për sfidat ekonomike dhe sociale të zonës

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në një takim në Elbasan me të rinjtë e qytetit dhe ministren për Shtetin, Sipërmarrjen dhe klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se startup-et e mbështetura nga qeveria kanë sjellë zgjidhje të spikatura inovatore për sfidat ekonomike dhe sociale të zonës.

“Me talentin dhe kreativitetin e tyre, të rinjtë shqiptarë kanë treguar që janë një potencial i jashtëzakonshëm jo vetëm për vendin tonë por edhe për të gjithë rajonin”, tha Mazniku në një postim në rrjetet sociale.

Programi për mbështetjen e kompanive startup dhe lehtësuesit e startup-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështetëse 2025 është krijuar nga qeveria shqiptare për të stimuluar sipërmarrjen inovative duke ofruar financim për kompanitë startup më premtuese shqiptare.

Financimi i dhënë nga qeveria shqiptare në kuadër të mbështetjes me grante 2025, do të mbulojë 100% të kostove totale të projektit për aplikantët fitues në fazën e parë. Faza e Ndërtimit të Konceptit; 85% të kostove për aplikantët fitues në fazën e dytë; Faza e Validimit dhe 75% të kostove për aplikantët në fazën e tretë; Faza e Zgjerimit dhe Ndërkombëtarizimit. Afati i implementimit të projekteve për vitin 2025 do të jetë afërsisht 9 muaj. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVengu i përgjigjet Bardhit: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile sot e mirëstërvitur, na nderon edhe në rang rajonal
Artikulli tjetërTabaku: Korrupsioni, shkak i varfërisë së familjeve shqiptare