Ballina Flash

Tabaku: Korrupsioni, shkak i varfërisë së familjeve shqiptare

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, foto: Florian Abazaj

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti sot një fjalim në Kuvend, duke kritikuar mazhorancën socialiste për ndërtimin e një sistemi të pandershëm ku humbet i drejti dhe fiton i forti.

Në fjalën e saj, Tabaku vuri në dukje ndikimin e thellë të korrupsionit te pensionistët dhe punonjësit, të cilët po përballen me kosto jetese të larta dhe paga që nuk përballojnë as nevojat bazë. Ajo theksoi se pensionet mbeten të pamjaftueshme për një jetesë dinjitoze, ndërsa pagat në sektorin privat nuk rriten për shkak të sistemit të korruptuar që favorizon vetëm një grusht oligarkësh.

“Pensionistët shqiptarë blejnë bukën me çmime evropiane, por marrin pensione shqiptare. Kjo është pasojë direkte e korrupsionit që ka mbytur ekonominë. Në të njëjtën kohë, sektori privat nuk ka mundësi të rrisë pagat për punonjësit, sepse çdo tender, çdo prokurim dhe çdo koncesion është i kapur nga një grup individësh”, tha Tabaku.

Tabaku theksoi se korrupsioni, i përhapur në çdo nivel të sistemit, është bërë shkaku kryesor i varfërisë së familjeve shqiptare. Ajo nënvizoi se mazhoranca ka ndërtuar një sistem ku pushteti përdoret për të mbrojtur interesat personale, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e një ekonomie të dominuar nga monopolistë dhe abuzime.

“Ky sistem korruptiv nuk ka vetëm një kosto ekonomike për shqiptarët, por edhe një kosto shoqërore. Po humbasim besimin e qytetarëve dhe po rrënojmë shpresën për një të ardhme më të mirë”, shtoi ajo.

Tabaku paralajmëroi se korrupsioni jo vetëm që ka ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare, por ka shkatërruar edhe shpresën e qytetarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë në vendin e tyre. Ajo bëri thirrje për reforma urgjente që do të garantojnë një shpërndarje të drejtë të të ardhurave dhe rritje të pensioneve e pagave.

Në përfundim, deputetja e PD-së bëri thirrje për një ndërgjegjësim kombëtar dhe një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të rikthyer drejtësinë në Shqipëri. Ajo u shpreh e bindur se vendi ka nevojë për një sistem të ri dhe të drejtë, që garanton sundimin e ligjit dhe një ekonomi të lirë nga korrupsioni. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMazniku: Startup-et në Elbasan, zgjidhje inovatore për sfidat ekonomike dhe sociale të zonës
Artikulli tjetërMalaj: Rrisim me 87 milionë euro kuotat në FMN, investim për sigurinë financiare