Ballina Aktualitet

Vengu i përgjigjet Bardhit: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile sot e mirëstërvitur, na nderon edhe në rang rajonal

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi sot në Kuvend se Shqipëria nuk është vetëm konsumatore nga ndihma europiane për mbrojtjen civile, por është edhe kontributore përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me Slloveninë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pyeti ministrin Vengu mbi kapacitetet e kësaj ministrie për përballimin e emergjencave civile.

Bardhi solli në vëmendje tërmetin e viti 2019, ndërsa kërkoi sqarime nga ministri edhe mbi ecurinë e procesit të rindërtimit, një proces që sipas tij, duhet të ishte përmbyllur 4 vite më parë, në vitin 2021, siç ishte edhe premtimi i qeverisë socialiste.

Duke folur për rritjen e kapaciteteve për përballimin e katastrofave natyrore, Vengu u ndal te krijimi i Agjencisë Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila është përfshirë edhe në Mekanizimin Europian të Mbrojtjes Civile.

“Për përballimin e fatkeqësisë së tërmetit 2019 kam qenë vetë në ekipet që kanë qenë në front të parë të kësaj përpjekje dhe nuk besoj se ka munguar asnjë instrument shtetëror në ato momente, duke përfshirë gjithë mekanizmin civil dhe gjithë mekanizmin ushtarak. Ndaj kam totalisht një lexim tjetër nga ju, të gjithë përballimit të situatës për sa i përket emergjencave, të krijuara nga ajo fatkeqësi natyrore madhore. Po në vitin 2019 është krijuar Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile një agjenci tashmë 5-vjeçare, e cila ka vite që merr eksperiencë dhe është përfshirë në Mekanizimin Europian të Mbrojtjes Civile”, tha Vengu.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, sipas ministrit, jo vetëm koordinon veprimtarinë e bashkive, qarqeve dhe FA-së në situata emergjencash civile por ka koordinuar edhe dhënien e ndihmës së forcave tona në emergjencave civile në vende fqinje, si në Greqi dhe Turqi së fundmi.

Vengu theksoi se në këtë linjë prezantohen edhe marrëveshjet e bashkëpunimit si ajo me Slloveninë, të cilat po konsolidohen me vendet e rajonit.

“Kemi një të tillë me Kosovën, me Maqedoninë e Veriut dhe sot kërkoj votën tuaj për të miratuar marrëveshjen me Slloveninë, e cila është një vend kampion për sa i përket emergjencave civile dhe ne e marrim shpesh për referencë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile sot është një agjenci e mirëpajisur, e mirëstërvitur dhe e mirëtrajtuar dhe na nderon në rastet e emergjencave civile, si në rang kombëtar edhe në rang rajonal”, u shpreh Vengu.

Për sa i përket programit të banesave të rindërtimit, Vengu theksoi se rindërtimi është një proces që ka ecur në kohë rekord me mbi 5900 banesa individuale të rindërtuara dhe mbi 6500 familje të sistemuara në godina shumëkatëshe.

“Mendoj se rindërtimi ka ecur shumë mirë. Nuk kam shifrat që keni ju. Nuk mendoj se rindërtimi ka ecur keq, përkundrazi ka ecur në kohë rekord me mbi 5900 banesa individuale të rindërtuara dhe mbi 6500 familje të sistemuara në godina shumëkatëshe. Të gjitha këto me fonde publike apo donacion të huaj të mirëkoordinuar dhe të ndërtuara në kohë rekord. Nuk njoh një zonë tjetër, qoftë në rajon apo në vende të përafërta me kapacitete tona, që të mund të përballojë në një kohë kaq të shpejtë një sfidë të tillë”, tha Vengu.

Ministri kujtoi se në buxhetin 2025 gjithë procesi i rindërtimit në këndvështrimin e dedikimit buxhetor qendror është i përfunduar dhe tashmë janë bashkitë ato që kanë për detyrë të vijojnë e përmbyllin procesin aty ku mund të ketë mangësi, apo duhet të vijojnë rindërtime e rikualifikime pjesore.

“Edhe bashkitë janë të mirëpajisura për të përballuar këtë sfidë me instrumente buxhetore. Rindëritmi është një sukses për të cilin duhet të jemi të gjithë krenar, sepse ka qenë një kauzë kombëtare për një fatkeqësi që na ka prekur të gjithëve”, shtoi ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Baerbock: Mbështetje afatgjatë ushtarake dhe financiare për Ukrainën
Artikulli tjetërMazniku: Startup-et në Elbasan, zgjidhje inovatore për sfidat ekonomike dhe sociale të zonës