BERLIN, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjermania dhe partnerët e saj evropianë janë të vendosur të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën – si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje, tha sot ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.
“Këtu në këtë rreth, ne jemi unanim. Ukraina ka nevojë për garanci të qëndrueshme sigurie”, tha Baerbock përpara një takimi me disa nga homologët e saj evropianë dhe diplomaten e lartë të BE-së Kaja Kallas, në Berlin.
“Kjo përfshin mbështetjen afatgjatë ushtarake dhe financiare për Ukrainën”, shtoi ajo.
“Garancitë për Kievin do të dërgonin një “mesazh të qartë”. Ne mbrojmë sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit tonë evropian”, tha Baerbock.
Kallas tha se duhej bërë më shumë për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë.
“Ne duhet të bëjmë më shumë për të forcuar Ukrainën në fushën e betejës. Sa më e fortë të jetë në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë pas negociatave”, tha ajo.
“Dhe sigurisht, i takon Ukrainës të thotë se kur janë gati të ulen rreth çdo tryeze negocimi,” shtoi Kallas.
Baerbock dhe Kallas nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë apo evropianë në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë.
Më herët në dhjetor, Baerbock refuzoi të përjashtonte perspektivën, duke u kritikuar në Gjermani. //a.i/























