TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Drejtori rajonal i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Shkodër, Ramir Hadëri bëri të ditur se bazuar në planin e masave të ndërmarra për festat e fundvitit, gjatë gjithë muajit dhjetor do të monitorohen dhe inspektohen rreth 450 subjekte në të gjithë qarkun.
“Në fokus të këtyre inspektimeve do të jenë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor me risk të lartë, si stabilimentet, subjektet që prodhojnë dhe përpunojnë produkte ushqimore, restorantet dhe marketet, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore në këtë prag festash fundviti”, tha ai.
Sipas tij, AKU do të jetë pjesë e kontrolleve edhe në tregjet e hapura dhe ambulante.
“Kontrollet do të kryhen mbi bazën e një marrëveshjeje institucionale. Për ne fusha e kontrollit janë vetëm subjektet që disponojnë nipt, por kjo nuk do të thotë që në kushtet e flagrancës mund të ushtrohet një aktivitet i paligjshëm në fushën e ushqimit dhe të ketë tolerancë nga ana jonë”, u shpreh ai.
AKU apelon qytetarët të denoncojnë çdo rast të konstatuar jashtë kushteve higjieno-sanitare, apo tregtim jashtë datës së skadencës, duke ndihmuar kështu në garantimin e sigurisë ushqimore.
/a.f/r.e/






















