TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja për administratorë zgjedhorë profesionistë ishin në qendër të konferencës që Prezenca e OSBE-së organizoi sot, së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Komisionin e Venecias dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Aktorët kryesorë diskutuan mbi adresimin e sfidave të administratës zgjedhore, duke theksuar nevojën për punonjës elektoralë të paanshëm dhe të trajnuar mirë. Konferenca theksoi rëndësinë e organeve profesionale të menaxhimit të zgjedhjeve si një gur themeli i zgjedhjeve demokratike.
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran përsëriti angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur përpjekjet reformuese të Shqipërisë. Kjo përfshin ofrimin e ekspertizës, nismat për rritjen e kapaciteteve dhe advokimin për emërime të bazuara në merita për të rritur profesionalizmin e administratorëve zgjedhorë.
Ndër të tjera, ai tha se, “një administratë zgjedhore e kualifikuar dhe e paanshme garanton që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente. Me caktimin e ditës së zgjedhjeve për më 11 maj 2025, është koha për të mbështetur KQZ-në për zgjedhjet e ardhshme përmes një administrimi sa më profesional”.
“Sipas kornizës ligjore aktuale, procesi i emërimit të komisionerëve të administratës zgjedhore të nivelit të ulët është ekskluzivitet i partive politike. Megjithëse ky është një nga modelet e shumta që janë të zbatueshme në të gjithë zonën e OSBE-së, ajo që është kritike – veçanërisht në mungesë të ndryshimeve ligjore të rekomanduara – është t’i jepet përparësi meritës, përvojës dhe objektivitetit në përzgjedhjen e tyre. Ne besojmë se kompetenca, pavarësia dhe paanshmëria duhet ta udhëheqin këtë proces për të siguruar që administrata zgjedhore t’i shërbejë interesit publik dhe jo atij politik. Për të arritur këtë, është e rëndësishme që i gjithë personeli i përfshirë në administratën zgjedhore t’i nënshtrohet një programi të unifikuar dhe gjithëpërfshirës trajnimi dhe certifikimi të ofruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha ai.
“Viti i ardhshëm shënon gjithashtu një moment historik për Shqipërinë: votimin nga jashtë vendit. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të siguruar që qytetarët shqiptarë me të drejtë vote, pavarësisht ku jetojnë, të mund të votojnë. Ky zhvillim i ri sjell edhe sfida që administrata zgjedhore duhet të jetë e gatshme t’i adresojë”, u shpreh Tarran.
/a.f/























