Ballina Flash

Paradë me kostume kombëtare në 108-vjetorin e Republikës Autonome të Korçës

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Sot në Korçë u kujtua 108-vjetori i Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës. Kryebashkiaku Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale pamje nga parada me veshje tradicionale nga gjithë rajoni i Korçës. Parada u zhvillua sot, në bulevardin kryesor të qytetit.

Ndërkohë drejtuesi i grupit të PS, Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale e konsideroi ngritjen e flamurit kombëtar nga Themistokli Gërmenji si një akt historik të mbushur me guxim e atdhedashuri, që vulosi rolin e qytetit te Korçës si një qendër e rëndësishme e pavarësisë shqiptare.

“Kjo ditë na kujton sakrificën dhe vendosmërinë e atyre që luftuan për identitetin dhe lirinë tonë. Korça, krenare për historinë e saj, mbetet simbol i patriotizmit dhe i vlerave kombëtare”, shkroi Niko Peleshi.

Shpallja e autonomisë u arrit me mbështetjen e ushtrisë franceze. Themistokli Gërmenji ishte prefekt i Republikës Autonome të Korçës, për të cilin DPA disponon dhe foton duke ngritur flamurin, dhe pranë tij koloneli Henry Descoin.

Administrimi i Qarkut të Korçës do t’i besohej një këshilli prej 14 anëtarësh, në një bërazpeshë mes anëtarëve të krishterë dhe atyre myslimanë. Këshilli ngarkohej me studimin e të gjitha masave që duheshin marrë me mirëadministrimin e qarkut dhe me kontrollin e funksionimit të shërbimeve publike. Sipas Protokollit të 10 dhjetorit 1916, qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze.

Por më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.

Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës.

 

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFlamingo e plagosur po trajtohet në qendrën e rikuperimit të shpendëve në “Divjakë-Karavasta”
Artikulli tjetërTarran: Prezenca e OSBE-së, angazhim për të mbështetur përpjekjet reformuese të Shqipërisë