Ballina Ekonomi

Porti i Durrësit, 1.7 milionë tonë mallra u përpunuan në janar-tetor

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të mbajë performancë të lartë të përpunimit të mallrave edhe gjatë këtij viti.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se “në Terminalin e Konteinerëve është një prej sektorëve me aktivitetet të rëndësishëm në Kompleksin Portual Durrës-Porto Romano, në të cilin përgjatë periudhës janar-tetor 2024 janë përpunuar 1.7 milionë tonë mallra”.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve në Portin e Durrësit ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpunim më të shpejtë dhe efikas të mallrave. Gjithashtu me vënien në funksion të sistemit operativ online Navis 4, ofrohet një standard i ri pune në fushën e përpunimit të konteinerëve në portin e Durrësit.

Falë këtij sistemi, operatorët, përdoruesit dhe agjencitë ligjzbatuese planifikojnë më mirë të gjitha veprimet logjistike dhe ato të kontrollit për çdo konteiner në import – eksport – magazinim.

Po ashtu falë këtij sistemi ka ulje të kohës së përpunimit të mallrave dhe ulje e pritjes për transportuesit, rritje e performancës së stafit dhe mekanizmave, siguri, kontroll dhe analizë risku nga agjencitë ligjzbatuese, gjurmueshmëri e çdo veprimi logjistik dhe transparencë financiare dhe lehtësim i operimit 24/7.

Porti i Durrësit është më i madhi në vend. Anijet tregtare që transportojnë mallra nga/drejt Durrësit kanë lundruar deri tani nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Euronews”: Shqipëria – vendi i aventurave të vërteta dhe atraksioneve magjepsëse
Artikulli tjetërJaka-sipërmarrësve: Të ndalim ikjen e punëtorëve