TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së organizoi më 3 dhe 4 dhjetor dy seanca të rëndësishme trajnimi për portalin e e-Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë.
Trajnimi u drejtua nga ekspertë të Universitetit të Bolonjës, të kompanisë italiane të programimit COMMED I A dhe Bitnomos.
Trajnimi u përqendrua në përdorimin praktik të Lime Editor për konsolidimin e ligjeve dhe në aspektet teknike të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së portalit përmes Drupal.
Gjithashtu, ai shënoi fillimin e procesit të dorëzimit, duke pajisur pjesëmarrësit me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të siguruar një kalim të suksesshëm.
Në seancën e datës 3 dhjetor, pjesëmarrës ishin superuserat, staf nga Drejtoria e Shërbimeve Legjislative dhe Drejtoria e Përafrimit të Legjislacionit të BE-së, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e IT-së. Gjithsej, 25 persona morën pjesë në këtë seancë, e cila kishte fokus aplikimin praktik të mjeteve të portalit.
Seanca e datës 4 dhjetor ishte më teknike dhe kishte fokus mirëmbajtjen e avancuar të portalit. Në këtë seancë morën pjesë shtatë persona nga stafi i IT, përfshirë drejtorin e IT-së.
Bashkëpunimi i ngushtë midis trajnerëve dhe ekipit IT të Kuvendit përfshiu demonstrime praktike dhe rregullime në kohë reale, duke ofruar një kuptim të thellë të funksionaliteteve të platformës si në pjesën e përparme (front-end) ashtu edhe në atë të prapme (back-end).
Faza e parë e projektit të OSBE-së me fonde zvicerane “Mbështetje për e-Legjislacionin në Shqipëri” ka hyrë në fazën përfundimtare.
/r.e/






















