Ballina Bota

BRUKSEL – Von der Leyen jo e pranishme në rihapjen e Notre-Dame de Paris

BRUKSEL, 6 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së katedrales Notre-Dame de Paris, tha sot një zëdhënës, ndryshe nga sa ishte njoftuar një ditë më parë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, Komisioni megjithatë kishte njoftuar udhëtimin e Von der Leyen në Paris për ceremoninë ku priten rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish.

“Ursula von der Leyen nuk do të jetë në Paris”, tha një zëdhënës.

Kreu i ekzekutivit evropian sapo ka finalizuar një marrëveshje të tregtisë së lirë në Uruguaj me vendet e Amerikës Latine Mercosur, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Franca.

Marrëveshja e shpallur në Montevideo “angazhon vetëm Komisionin, jo shtetet anëtare”, reagoi Parisi, i cili shpreson të bashkojë një pakicë bllokuese brenda Bashkimit Evropian për të kundërshtuar këtë traktat.

Në një telefonatë, presidenti Emmanuel Macron i përsëriti Von der Leyenit se kjo projektmarrëveshje tregtare ishte “e papranueshme”.

Komisioni nuk bëri asnjë lidhje midis kësaj mosmarrëveshjeje me Francën dhe mungesës së Von der Leyen në Notre-Dame.

“Vizita nuk është konfirmuar zyrtarisht, presidentja nuk do të shkojë në Paris”, u përgjigj thjesht zëdhënësja Paula Pinho./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSako: Restaurimi i Muzeut Arkeologjik, impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit në Durrës
Artikulli tjetërRriten çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë