TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kuvendi u përfshi sot në një debat lidhur me Komisionin e Posaçëm kundër Dezinformimit pas kërkesës së kryetares së Komisionit të Mediave, deputete e Partisë Demokratike, Ina Zhupa për mbylljen e këtij komisioni me argumentin se do të përdoret për të goditur opozitën gjatë fushatës elektorale.
“Jam shumë e shqetësuar nga deklaratat tuaja politike. Tregojnë qartësisht vullnetin e mazhorancës për të përdorur Komisionin e Dezinformimit për luftë dhe ndjekje penale ndaj medieve. Deklarata e djeshme e kryetarit të Komisionit për Dezinformimin që i bënte thirrje Prokurorisë të hetonte dhe të çonte për ndjekje penale gazetarët dhe mediet që kishin guxuar të publikonin një të vërtetë“, tha Zhupa.
Sipas saj, komisioni u ngrit për të evidentuar propagandën e përdorur nga Rusia dhe Kina, por në fakt po kërkon të çojë gazetarët dhe mediet për ndjekje penale pse shfaqin, sipas saj, deklaratat e rreme të Policisë së Shtetit.
“Ju që ngritët një komision për propagandën e Rusisë dhe Kinës, tani po e përdorni kundër medieve pse shfaqën që komunikata e Policisë së Shtetit është e rreme, që i japin zë dëshmitarëve, që i japin zë prindërit të Luisit”, shtoi Zhupa.
Sipas saj, përmes këtij komisioni mazhoranca kërkon të çojë gazetarët edhe mediet për ndjekje penale.
“Kërkesa ime ndaj jush është që meqenëse tani u shfaq në publik qartësisht pse e doni Komisionin për Dezinformim dhe si do ta përdorni gjatë fushatës elektorale, kundër medieve që nuk shkojnë në vijën e komunikatave tuaja, hiqni dorë, mbyllni Komisionin, mos vazhdoni në këtë shkelje. Njoftojmë ndërkombëtarët që ajo që thamë ne doli. Duan të persekutojnë mediet që nuk çojnë ujë te qeveria”, deklaroi Zhupa.
Por, kryetari i Komisionit të Posaçëm kundër Dezinformimit, deputeti socialist, Erion Braçe, deklaroi se në asnjë rast nuk ka kërkuar të hetohet media apo ndonjë gazetar por ka kërkuar të hetohet deri në fund krimi dhe të mbahen përgjegjës të gjithë autorët e vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.
“Zhupa i di rubinet mediet. Nuk kam kërkuar të hetohet media apo ndonjë gazetar. Kam thënë të hetohet deri në fund krimi dhe të mbahet përgjegjës të gjithë autorët, pas një hetimi gjithëpërfshirës dhe në krahun tjetër po kam kërkuar në çdo moment që autoritetet të hetojnë dezinformimin dhe kam thënë dezinformimin, që ka një qëllim shumë të qartë dhe të pastër politik. Ti je njëra që duhet të hetohesh për dezinformim dhe mbi të gjitha që dezinformon hapur në Kuvendin e Shqipërisë“, tha Braçe. /j.p/























