Ballina Aktualitet

Ndërtimet pa leje, Manja: Brenda këtij sesioni miratojmë ligjin për anulimin e gjobave të paekzekutuara

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohej në lidhje me nismën e Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, tha se mazhoranca i ka votat dhe se do ta miratojë para Vitit të Ri.

Sipas Manjës janë gjoba të paekzekutuara ndër vite.

“Është shumë e thjeshtë të nderuar kolegë, ky parlament e ka të drejtën legjitime me ligj që t’i anulojë gjobat. A jeni dakord që ky parlament me ligj të anulojë gjobat ndër vite të vendosura nga IKMT (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), pyetja është shumë e thjeshtë, ne si mazhorancë kemi numrat dhe do t’i anulojmë këto gjoba”, u shpreh Manja.

“Janë gjoba të paekzekutuara ndër vite, një pjesë e gjobave janë ekzekutuar një pjesë janë pa ekzekutuar pasi janë në pamundësi për t’u ekzekutuar. Ky është thelbi, kjo është ajo që ju djeg ju. Në vend që të vinit këtu dhe të bashkoheshit me ne, ju vini këtu dhe mbani parlamentin ‘jo procedura’, ‘jo banat’, ‘jo krimi’”, tha Manja.

Manja kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës.

“Bëhuni një moment dhe bashkohuni me ne për t’iu dhënë para Vitit të Ri këtyre njerëzve që ende nuk i kanë ekzekutuar gjobat, për pamundësi objektive por që ligjin e kanë shkelur ama. Ky parlament doni apo nuk doni ju brenda këtij sesioni do të miratojë ligjin për anulimin  gjobave të paekzekutuara”, tha Manja.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTensione në Kuvend, opozita bllokon foltoren
Artikulli tjetërBM – Starmer paraqet planin për ndryshim pas 150 ditësh në pushtet