Ballina Flash

“K’cimi i Tropojës” në UNESCO, Spiropali: Pasuri e çmuar e Shqipërisë

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përshëndeti sot përfshirjen e “K’cimit të Tropojës” në Listën e Trashëgimisë Kulturore në UNESCO.

Spiropali u shpreh se, “K’cimi i Tropojës”, një tjetër pasuri e çmuar e Shqipërisë, u shpall pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

“Shpirti krijues, patriotizmi, krenaria, fisnikëria, virtuoziteti dhe talenti i artistëve popullorë të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, pjesë e identitetit dhe e vlerave tona kombëtare, janë tashmë pjesë e thesareve kulturore të njerëzimit”, theksoi Kryeparlamentarja.

Spiropali shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë arritje kombëtare.

“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBanesa e Ramiz Bekteshit, ndër atraksionet turistike të Shkodrës
Artikulli tjetërKuvendi në seancë plenare, opozita interpelancë me Manastirliun