TIRANË, 5 dhjetor /ATSH-Maela Marini/ Sekretari për Organizimin dhe Çështjet Zgjedhore në Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri hodhi sot poshtë çdo pretendim të opozitës për krijimin e qeverisë teknike, ndërsa u shpreh se “kjo është vetëm një dëshirë politike e pabazuar”.
Në një intervistë televizive, Gjiknuri u shpreh se qeveritë teknike krijohen vetëm kur vendi përballet me kriza të mëdha.
“Kjo është një dëshirë politike e pabazuar as në realitetin politik, as në ligj, as në traditë politike. Nuk ka ndodhur ndonjëherë pse do një parti politike opozitare të ketë qeveri teknike dhe të kemi qeveri teknike. Qeveria teknike krijohet kur vendi ka kriza themelore, siç ndodhi në vitin 2007, apo marrëveshjen e vitit 2017 për bashkëqeverisje, kur PD ishte e mbyllur në çadër”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi se nuk sheh asnjë arsye për krijimin e qeverisë teknike.
“Është dëshirë politike për t’i thënë kundërshtarit në pushtet: ‘Ik ti nga karrigia, të ulem unë’. Nuk ka asnjë bazë që dikton nevojën e qeverisë teknike. Qeveritë teknike krijohen në raste krizash të mëdha, ndërsa Shqipëria është një vend normal që po progreson drejt BE-së”, tha Gjiknuri.
Qeveria teknike, sipas tij, nuk është fare pjesë e axhendës së PS-së dhe nuk duhet të shpresojë njeri se vendi do të shkojë aty.
Duke folur për zgjedhjet e 11 majit 2025, Gjiknuri tha se PS do të mundohet të marrë maksimumin si forcë politike edhe nga vota e diasporës.
“PS shkon e organizuar dhe shumë më e avantazhuar përballë një opozite të përçarë e të shpartalluar, që po vuan edhe pasojat e vendimeve të saj si bojkotet apo përçarjen e saj në vitin 2021. Natyrshëm kjo do të ketë efekt elektoral për opozitën”, tha Gjiknuri.
Lidhur me votën e emigrantëve, Gjiknuri, u shpreh se mund të shihet edhe mundësia e postës ekspres, por kjo sipas tij do të kishte një kosto të madhe për qeverinë.
“Opozita nuk ka pasur ndonjë reagim, pavarsisht se Berisha tha se ata ishin të gatshëm që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Por, akoma nuk ka një dakordësi, kjo do ta vërë në rrezik votën e emigrantëve në këto kushte, ose do të bëhet me post ekspres që do ta marr përsipër qeveria, por do të kishte një kosto të madhe, mbi 50 euro për zarf”, tha ai.
/a.f/r.e/





















