TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i konsideroi deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama si “mesazhe shantazhuese ndaj SPAK që të mbyllë hetimet për dosjen “Xibraka””.
“Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyllë hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika”, u shpreh Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale.
Bardhi kujtoi po ashtu se kryeministri doli përpara disa muajve në interpelancën e kërkuar prej tij për mbetjet toksike.
“Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?”, u shpreh Bardhi.
Kryeministri Rama reagoi sot ndaj kërkesës së bërë nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kishte kërkuar interpelancë lidhur me dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama theksoi se “do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen e tij”.
/m.m/r.e/a.f/























