Ballina Bota

BRUKSEL – Blinken: Armëpushimi në Liban po mbahet

BRUKSEL, 4 dhjetor /ATSH-AFP/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha sot se armëpushimi në Liban po “mbahej” pavarësisht një sërë incidentesh midis Izraelit dhe militantëve të mbështetur nga Irani, Hezbollahut.

“Armëpushimi po mbahet dhe ne po përdorim mekanizmin që u krijua – në rastin e ndonjë shqetësimi për ndonjë shkelje të supozuar”, u tha Blinken gazetarëve pas takimit të NATO-s, në Bruksel.

Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu përballen me akuza se kanë shkelur armëpushimin – që hyri në fuqi të mërkurën e kaluar – për t’i dhënë fund një lufte që ka vrarë mijëra njerëz në Liban dhe ka shkaktuar shpërngulje masive nga të dyja palët.

“Unë mendoj se në thelb, të dyja palët, Izraeli dhe Hezbollahu, përmes qeverisë libaneze, donin dhe vazhdojnë të duan armëpushimin”, tha Blinken.

“Por, ne duhet të sigurohemi që të mbahet. Dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Një komitet që përfshin Francën, paqeruajtësit e OKB-së, Izraelin, Libanin dhe i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ka për detyrë të mbajë komunikimin midis palëve të ndryshme dhe të sigurojë identifikimin e shkeljeve dhe trajtimin e tyre për të shmangur çdo përshkallëzim.

“Mekanizmi që kemi krijuar me Francën për t’u siguruar që armëpushimi të monitorohet dhe zbatohet në mënyrë efektive po funksionon – dhe ne duam të sigurohemi që ai të vazhdojë të funksionojë”, tha Blinken.

“Nëse ka shqetësime se njëra apo tjetra po shkel armëpushimin, ajo vjen tek ne dhe në një mënyrë apo tjetër angazhojmë palët. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur”, shtoi ai. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoçiu: Rritje e mbulimit financiar për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë
Artikulli tjetërBlushi: Buxheti 2025 pasuron oligarkët në kurriz të pensionistëve