Ballina Aktualitet

BE, mbështetje Policisë së Shtetit në zbulimin e armëve dhe narkotikëve

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Policia e Shtetit është pajisur me automjete dhe pajisje të posaçme, për të ndihmuar efektivët në zbulimin e armëve të paligjshme të zjarrit, lëndëve narkotike dhe eksplozivët.

Kjo mbështetje është pjesë e ndihmës aktive të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në luftën kundër rreziqeve të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta, duke siguruar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët.

Përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe donatorëve morën pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast, e cila përmbylli edhe ciklin e trajnimeve të realizuara për punonjësit e Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit.

Sipas Prezencës së OSBE-së në Tiranë diskutimet u fokusuan edhe në ndërhyrjet për përmirësimin infrastrukturor të mjediseve të Institutit.

Veprimtaria ishte pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFISHË TEKNIKE – Ekipi i ri i Komisionit Evropian të Ursula von der Leyenit
Artikulli tjetërSuperkupa e Shqipërisë, Egnatia – Kukësi luhet në “Arenën Kombëtare” më 26 dhjetor, në orën 19:00