Ballina Bota

SEUL – Parlamenti bën thirrje për heqjen e ligjit të luftës

SEUL, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Parlamenti i Koresë së Jugut ka bërë thirrje për heqjen e ligjit të luftës, të vendosur sot nga presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol.

Anëtarët e pranishëm të Asamblesë Kombëtare votuan në favor të një rezolute përkatëse, sipas transmetuesve të Koresë së Jugut.

”Yoon duhet të heqë ligjin e luftës, në përputhje me kushtetutën, nëse parlamenti voton pro”, thanë raportet.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli ligjin e luftës, në një fjalim të paparalajmëruar sot, duke akuzuar partinë kryesore opozitare të vendit për simpatinë ndaj Koresë së Veriut dhe për aktivitete antishtetërore, sipas CNN.

Yoon nuk tha se çfarë masash specifike do të merreshin.

Yoon i etiketoi veprimet e opozitës si “sjellje të qarta antishtetërore që synojnë nxitjen e rebelimit”.

Ai pretendoi se ”këto akte kanë paralizuar punët e shtetit dhe e kanë kthyer Asamblenë Kombëtare në një strofkë kriminelësh”.

Ai e përshkruan ligjin e luftës si një masë të nevojshme për të çrrënjosur këto “forca të paturpshme proveriore antishtetërore”.

Ai e justifikoi vendimin si thelbësor për të mbrojtur liritë dhe sigurinë e njerëzve, për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit dhe për t’i përcjellë një komb të qëndrueshëm brezave të ardhshëm./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontingjenti XV EOD përfundon misionin në Lituani
Artikulli tjetërInstalacion dhe ekspozita, të rinj angazhohen në fushatën ndërgjegjësuese “Jo armëve”