Ballina Aktualitet

Pr/ligji për Forcat Rezerviste, Alibeaj: Mobilizim për zgjedhje, jo për qëllime ushtarake

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj tha sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, se projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”, ka një sërë problemesh.

Alibeaj tha se gjatë qeverisjes socialiste në ushtri ka pasur dy probleme kryesore.

“Nxorët ushtrinë për të mbledhur letrat anës rrugës, që ishte shkatërrimi më i rëndë i misionit dhe i qëllimit të Forcave të Armatosura. E dyta, është shkatërrimi i sistemit të karrierës brenda Forcave të Armatosura. Ky është problemi kryesor, virusi i shkatërrimit të meritokracisë, që ka kapur edhe Forcat e Armatosura.

Të sjellësh një ligj për forca rezerviste sot në Shqipëri nga kjo mazhorancë më kujton atë parullën e dikurshme “I gjithë populli ushtar”. E gjithë ngarkesa, jo vetëm groteske, por ka edhe elementin e dhimbshëm se si Forcat e Armatosura dikur kanë qenë të përdorura. Mesa duket nuk është shkëputur kjo lloj simptome edhe sot si vend anëtar i NATO-s”, tha Alibeaj.

Alibeaj po ashtu rreshtoi disa nga problemet që, sipas tij, ka projektligji.

“Projektligji sjell edhe një sërë problemesh, shkurtimisht po i them, ka probleme civile dhe profesionale. Përbën një mbështetje të pamjaftueshme ligjore. Nuk është parashikuar harmonizimi i detyrimeve, siç e thashë më parë, i detyrimeve civile dhe ushtarake. Detyrimi ushtarak vetëm në kohën e sovjetikëve u përdor. Në kohë tjetër nuk përdoret dhuna shtetërore për të detyruar njerëzit.

Forca rezerviste ndërkohë që forca ushtarake përdoren për pastrim ambientesh do të thotë për një mendim të arsyeshëm që është ky mobilizim me zgjedhje, thjesht dhe vetëm do të përdoren jo për qëllime ushtarake. Kushdo e mendon. Para zgjedhjeve ndodh kjo fushatë, për zgjedhje”, tha Alibeaj.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, ndërtojmë rrugën që lidh Dibrën me Elbasanin
Artikulli tjetërKushtetuesja shqyrton më 27 dhjetor masën e sigurisë ndaj Berishës, në seancë edhe Kuvendi e SPAK