Ballina Flash

Sako: Qendër e re shëndetësore në Spitallë, u shërben 30 mijë qytetarëve

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka marrë pjesë në përurimin e qendrës së re shëndetësore në zonën e Spitallës. Kryebashkiakja u shpreh se kjo qendër do t’u shërbejë 30 mijë banorëve të zonës për të gjitha problematikat e tyre shëndetësore, por njëherësh është edhe një investim i ri që ndihmon stafin e mjekëve që të punojnë në kushte më të mira me aparaturat e fundit të teknologjisë.

Sako informoi se gjatë përurimit, takoi edhe stafin mjekësor të kësaj qendre si dhe vizitoi ambientet me standarde bashkëkohore ku qytetarët do të marrin një shërbim cilësor.

“Kjo qendër shëndetësore ka një staf prej 26 mjekë e infermierë dhe do t’i shërbejë rreth 30 mijë banorëve të zonës. Pesë vitet e fundit janë 23 qendra shëndetësore në bashkinë e Durrësit që janë rikonstruktuar apo ndërtuar nga e para e që ofrojnë shërbime në kushte bashkëkohore për qytetarët”, u shpreh Sako.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit theksoi se kjo qendër e re shëndetësore i shërben një zone me një numër të lartë popullsie, siç është edhe Spitalla.

Disa ditë më parë, u hap edhe poliklinika e specialiteteve në Durrës, tërësisht e rikonstruktuar me ambiente te transformuara dhe e pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit.

177,950 banorë përfitojnë nga ky investim i buxhetit të shtetit dhe MSHMS-së, i cili ka mundësuar ambiente pritëse të zgjeruara, kushte bashkëkohore dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit për të ofruar shërbim të shpejtë dhe cilësor në 17 specialitete dhe ekzaminime laboratorike. /.j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAvaritë nga reshjet, përmirësohet me 87% situata e furnizimit me energji elektrike
Artikulli tjetërBRUKSEL – Ursula von der Leyen i jep ndihmën e parë një pasagjeri në urgjencë mjekësore