TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Bashkia e qytetit të Shkodrës ka zhvilluar një takim informuar mbi shpalljen e Skemës së Granteve për të rinjtë e moshave 18-30 vjeç. Të rinjtë e universitetit të këtij qyteti, por jo vetëm, ishin pjesëmarrës në auditorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku u përshëndetën nga rektori Tonin Gjuraj dhe zv/kryetari i bashkisë Rudin Beka.
Zv/kryetari Beka theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për nxitjen e të rinjve në vlerësimin e mundësive të investimit në Shkodër, si një politikë e Bashkisë Shkodër për fuqizimin e tyre. Rektori Gjuraj shprehu mirënjohjen dhe përkushtimin e tij për të sensibilizuar të rinjtë që të jenë pjesë e këtyre granteve, si një shprehje e qartë e bashkëpunimit dypalësh.
Bashkia Shkodër në kuadër të projektit “Skemë granti për të rinjtë”, në mbështetje të zhvillimit të iniciativave ekonomike lokale, duke ruajtur një qasje miqësore ndaj mjedisit, ka shpallur këtë konkurs për dorëzimin e aplikimeve për grante, një mundësi e re ekonomike për sipërmarrësit aspirantë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-ve) të aftë për të qenë të qëndrueshëm në një treg konkurrues.
Qëllimi i kësaj thirrjeje është të mbështesë plane të qëndrueshme biznesi të krijuara nga të rinjtë e qytetit të Shkodrës, të cilët shfaqin aftësi të mbijetojnë në një treg konkurrues. Procesi i përzgjedhjes së aplikantëve ka si qëllim të ofrojë transparencë dhe konkurrencë të barabartë, si dhe të mbështesë idetë dhe planet e biznesit më të mira, inovative, fitimprurëse dhe që garantojnë rezultate të qëndrueshme.
Skema do të zbatohet në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër.
Granti do të mbështesë të rinjtë e moshave 18 deri 30 vjeç, banues në Bashkinë Shkodër, të cilët kanë një ide apo kanë një biznes ekzistues të vogël ose të mesëm dhe kërkojnë të shndërrohen në biznese eko-inovative, për një projektpropozim me afat nga 6 deri 9 muaj dhe shuma do të shpërndahet në bazë të planit financiar të aplikimeve fituese.
Aplikimet që plotësojnë kriteret e kësaj skeme janë ato që kërkojnë një buxhet deri në 800 000 lekë. Kjo shumë është 80% e vlerës së projektit që do të aplikojë biznesi. Aplikanti duhet të ofrojë kontribut financiar të barabartë me të paktën 20% të grantit të financuar të kërkuar, pra aplikantët e përzgjedhur duhet të bashkëfinancojnë 20% të shumës së grantit.
/e.i/a.f/r.e/























