Ballina Ekonomi

Malaj: Rritja ekonomike për 2023-shin tejkaloi pritshmëritë, në nivelin 3.94%

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se ekonomia e vendit, deri më tani, ka treguar elasticitet të konsiderueshëm përballë goditjeve të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe kriza globale.

Gjatë prezantimit në seancën plenare të Kuvendit të buxhetit faktik të vitit 2023, Malaj tha se aktiviteti ekonomik ka vijuar me një rritje pozitive dhe të qëndrueshme, përfshirë rritjen e punësimit dhe pagave, pavarësisht një ambienti sfidues ekonomik, të karakterizuar nga pasiguri dhe kushte më të shtrënguara financimi.

“Deri më tani, fondamentet kryesore ekonomike dhe financiare, si dhe stabiliteti makroekonomik i vendit, ka rezistuar relativisht mjaft mirë dhe pritet që ekonomia të vazhdojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme”, vuri në dukje ai.

Sipas Malajt, rritja ekonomike për vitin 2023 tejkaloi pritshmëritë fillestare, duke arritur në nivelin 3.94% në bazë vjetore.

“Kontributet kryesore në rritje nga kërkesa e brendshme kanë ardhur si nga konsumi, ashtu edhe investimet, të cilat u rritën në terma realë përkatësisht me 3.2% dhe 1.0% krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë në vitin 2023, eksportet totale u rritën me rreth 9.5% dhe importet totale me rreth 0.2% për rrjedhojë, kërkesa e huaj neto pati një kontribut pozitiv me rreth 3.4% në rritjen ekonomike në vitin 2023, në pasqyrim të një sezoni turistik mjaft pozitiv. Treguesi i borxhit shënoi nivelin 57.5% të PBB dhe treguesi i deficitit shënoi nivelin 1.3%”, informoi ministri.

Më tej, ai theksoi se tregu i punës ka vazhduar të përmirësohet ndjeshëm gjatë vitit 2023.

“Punësimi u rrit mesatarisht me 1.6% në vit, mbështetur kryesisht nga punësimi më i lartë në sektorin e shërbimeve. Në të njëjtën kohë, shkalla e papunësisë vazhdoi trendin rënës të viteve të fundit dhe është ulur deri në 10.7% në tremujorin e katërt të 2023, nga 11.0% në fund të vitit të kaluar (për moshën 15 vjeç e lart). Kjo paraqet normën më të ulët të papunësisë të regjistruar ndonjëherë. Gjithashtu, edhe paga mesatare ka shënuar rritje me 13.7% në krahasim me një vit më parë, duke rezultuar në 75 025 lekë në fund të vitit 2023. Evidencat tregojnë se ka një interes të përgjithshëm në rritje për të hyrë në fuqinë punëtore, nxitur edhe nga trendi rritës i pagave, duke nënvizuar kështu tendencat pozitive në ofertën e punës”, theksoi ministri.

Inflacioni, tha Malaj, reflektoi goditjen e fundit të ofertës së jashtme përgjatë vitit të shkuar, për shkak të luftës në Ukrainë, duke u kthyer në një nga çështjet kryesore makroekonomike për ekonominë tonë, ashtu si në shumë vende të tjera të botës.

Megjithatë, vijoi Malaj, inflacioni në vendin tonë ka qenë ndjeshëm më i ulët sesa në vendet e rajonit, si dhe me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, me një normë mesatare prej 4.8% nga 6.7% që rezultoi në 2022.

Sipas tij, trendi rënës i inflacionit gjatë vitit 2023 u diktua nga dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste, nga forcimi i monedhës vendase në tregun valutor, si dhe nga ndikimi i politikës monetare.

Gjatë vitit 2023, vuri në dukje ai, Ministria e Financave ka vijuar përpjekjet në drejtim të reduktimit të ekspozimit ndaj risqeve duke mbajtur koston në nivelin më të ulët të mundshëm.

“Gjatë kësaj periudhe, menaxhimi i risqeve të portofolit të borxhit ka mundur të evoluojë në drejtim të objektivave strategjikë afatmesëm, duke shfaqur përmirësim të të gjithë treguesve të riskut në krahasim me fundin e 2022. Përmirësimi i mëtejshëm i strukturës së borxhit, kryesisht në aspektin e reduktimit të ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit do të vijojë të mbetet fokusi kryesor në menaxhimin e borxhit, në mënyrë që treguesit e këtyre risqeve të përmirësohen në periudhat në vijim”, tha ai.

Duke u ndalur te politika fiskale gjatë vitit 2023, Malaj tha se ajo ka vijuar të synojë rimëkëmbjen e ekonomisë, por dhe rishikimin e lehtësive tatimore të ndërmarra nga Qeveria me synim sigurimin e një sistemi taksimi të drejtë, të balancuar dhe që nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.

Ndryshimet në paketën fiskale 2023 synuan përgjithësisht korrektime në elementë të veçantë tatimesh dhe taksash, si tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat, akcizat dhe taksat kombëtare.

Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për 2023-shin arritën në 643.4 miliardë lekë me një realizim në masën 99%, rreth 12.3% ose 70.6 miliardë lekë më shumë se realizimi vjetor 2022.

Ndër të tjera, ministri bëri të ditur se shpenzimet buxhetore përgjatë vitit 2023, arritën në rreth 674.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2022, sipas tij, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.7% më të larta ose rreth 23.8 miliardë LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale (përfshirë Fondin e Rindërtimit) rezultuan rreth 119.1 miliardë lekë.

“Krahasuar me vitin 2022, ky zë është 6.2% më i lartë ose rreth 6.9 miliardë lekë më shumë. Investimet me financim të brendshëm u realizuan në masën 88.5 miliardë lekë ose rreth 96.4% e planit, ku shpenzimet e Rindërtimit u realizuan në masën 16.2 miliardë lekë. Buxheti 2023 financoi një nivel të lartë investimesh publike, që kanë prekur fusha të rëndësishme të ekonomisë, si në: infrastrukturë, ujësjellës-kanalizime, transport rrugor, shëndetësi, mbrojtje, etj. Realizimi i investimeve në total ka qenë në nivele të larta, veçanërisht për financimin e brendshëm”, tha ai.

Ndërsa shpenzimet për fondet speciale, krahasuar me vitin 2022, rezultuan 4.7% më të larta ose rreth 10.3 miliardë lekë më shumë.

Në infrastrukturë, u shpreh Malaj, janë financuar plotësisht 12 projekte investimi me vlerë totale rreth 7.7 miliard lekë.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Toska” në TKOB, duartrokitje të gjata për tenorin Pirgu
Artikulli tjetërBardhi: Spiropali të japë dorëheqjen, ka penguar opozitën pa ligj e rregullore