Ballina Aktualitet

Rama: Anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve – dy objektivat themelorë të mandatit të katërt

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt.

Në një takim me pensionistët e Fierit për të ndarë me ta pikëpamje për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se, “dy gjëra janë të rëndësishme, për mua të paktën, më shumë se të gjitha të tjerat për mandatin tonë të katërt. E para, është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. E dyta, është lehtësimi sa më i madh i frymëmarrjes së pensionistëve që Shqipëria në BE mos  të jetë vetëm Shqipëria e të gjithë të tjerëve që janë në moshën aktive me mundësi më të mëdha, por të jetë dhe Shqipëria ku pensionistët e fillojnë ditën më të buzëqeshur”.

“Anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt dhe për këtë mos kini as më të voglin dyshim”, theksoi kreu i qeverisë.

“E kam pritur me shumë padurim, por më është dashur shumë durim që të vijë dita si sot që ne të diskutojmë së bashku për disa hapa konkrete për pensionet. Nuk e kemi pasur mundësinë ta bëjmë më përpara dhe nuk do të na e kishte lejuar me të drejtë asnjë institucion financiar ndërkombëtar, sepse do të ishte ekspozuar Shqipëria në një formë shumë të rrezikshme edhe për kreditorët, edhe për tregjet financiare etj.”, theksoi Rama.

“Sot jemi në kushtet kur ne mund t’ju shohim në sy dhe t’ju themi me plot gojën që këtë Vit të Ri ju do të buzëqeshni më shumë se çdo Vit të Ri më parë. Tani buzëqeshja nuk ka fund, nuk diskutohet, por sidoqoftë të buzëqeshësh më shumë se dje është një përparim i rëndësishëm”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQeveria e Kosovës paralajmëron rritje të pagave nga janari i 2025-ës në sektorin publik
Artikulli tjetërRama: Njohje automatike të viteve të punës për pensionistët që kanë dalë në vitet ’93-’94