TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u bë një urë, një praktikë pune, e cila nuk është thjesht praktikë pune për t’u njohur me një punë të caktuar, por është pikërisht mundësia e krijimit të eksperiencës që brenda kornizës së ligjit i jep mundësi çdonjërit nga ju të konkurrojë”.
Në fjalën e tij në aktivitetin për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, Rama tha se “në këto 11 vite është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim, jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer, për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes se tyre që nuk e ka pasur më parë”.
“Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë, pa dyshim. Sot, ju sapo keni hyrë dhe do të njiheni në ministri apo institucione me punonjës që mund të jenë në prag pensioni që kanë 30-40 vjet në administratë, që janë thesar. Po administrata publike nuk ka pasur as mundësi që të ndihet më e motivuar, të ndihet e shprehur as aftësinë për ta shprehur atë që i është dashur të bëjë, siç bëri në procesin screening, sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik”, nënvizoi Rama duke shtuar se ligji për administratën publike i cili ka praktikisht, konsoliduar pozicionet e nëpunësve civilë si pozicione të palëvizshme sepse kështu do ministri i radhës apo sepse kështu do partia e radhës në pushtet, ka hyrë në fuqi pikërisht me fillimin e mandatit tonë të parë.
Kryeministri Rama u shpreh se “kam pasur gjithmonë brenda meje, siç kanë të gjithë praktikisht qytetarët shqiptarë, mbase jo në nivelin e shumicës së tyre, që mendojnë se administrata publike është një territor me shumë hije dhe me pak arsye për të pasur respekt, por gjithsesi një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që kjo do të ishte pjesa më pamundur e misionit tim dhe misionit tonë për ta ngritur administratën publike në një nivel të respektueshëm, të paktën në të gjallët e mi”.
“Mirëpo ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe Ulsiut, screening me BE, një skuadër goxha e madhe në numër ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë befasues. Nëse do t’ma thoshte dikush më parë do ta dyshoja fort dhe nëse kam pasur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE-në, ka qenë si do t’ia dalim ne kësaj”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në këtë program, në këto vite, kanë hyrë mbi 5 mijë si ju. Ka shumë të pavërtetë në një fakt që konsiderohet i mirëqenë, që të hysh në administratë duhet të jesh patjetër nga Dibra si Ulsiu ose duhet të jesh patjetër me PS, ose duhet të jesh patjetër kushëri i këtij. Unë nuk e di sa nga ju kanë kushëri Ulsiun ose këdo qoftë tjetër ose ndonjë lidhje tjetër, por ajo që di unë është kjo, që në Kryeministri kam takuar personalisht një numër të caktuar të atyre si ju më parë, që hynë në praktikën e punës dhe që pastaj filluan dhe punë dhe ajo që kam dëgjuar prej tyre ka qenë ne as që nuk e besonim që kishim shans të fitonim konkursin. Kemi hyrë, kemi thënë ta provojmë, kjo është kot sepse kjo është ndeshje e shitur, është lojë e mbaruar. Dhe kemi hyrë sepse kemi fituar konkursin”.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.
/k.s/a.f/r.e/























