Ballina Flash

Protesta e opozitës, Klosi: Jo për Salianjin, këtë javë hapim negociatat me BE

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi se protesta e zhvilluar nga opozita sot, vjen në një moment kur Shqipëria pritet të hedhë një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian, siç është çelja e negociatave për grupkapitullin e parë, më 15 tetor.

Në një intervistë në media, Klosi u shpreh se opozita ka bërë të njëjtën gjë edhe më parë.

“Protesta e sotme nuk u bë për burgosjen e kolegut Salianji, që për hir të së vërtetës mori përsipër të çonte përpara një mashtrim të bërë në atë seli dhe ai mashtrim e çoi atë në një gjykim. Salianji ka një vit i dënuar. Për dënimin nuk u ndje fare Partia Demokratike. Nuk u bë atëherë protesta, por po bëhet tani që po zbatohet dënimi. Ndërkohë, që duke i lidhur të dyja bashkë, këtë javë ne marrim një proces shumë të rëndësishëm, atë të hapjes së negociatave. Në këtë javë ne firmosim hapjen e negociatave, këtë javë ne bëjmë mbledhjen ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE për të hapur negociatat”, tha Klosi.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve, dhe përfaqësuesve të opozitës dhe si gjithmonë kur ka një moment të përafrimit të raporteve me BE, që kanë qenë të bllokuara jo për arsye të Shqipërisë, por për arsye rajonale. E dimë shumë mirë, qoftë rastin e bllokimit që erdhi nga çështja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, qoftë bllokimin që na bëri Greqia. Tani ia kemi dalë ta bëjmë këtë proces, që është një nga më të rëndësishëm për vendin, dhe pikërisht tani bëhen këto protesta”, theksoi Klosi.

“Protesta më e fortë, përpara kësaj që u bë sot, ishte ajo kur u godit Berisha në rrugët e Tiranës, veprim që duhet dënuar. Dhe ajo ishte dita që kur të gjithë përfaqësuesit më të lartë kanë qenë në Tiranë”, tha Klosi.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti takon shefin e EULEX-it: Incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie
Artikulli tjetërTEL AVIV – Raund i ri sulmesh ajrore izraelite në zonat e Hezbollahut