Ballina Aktualitet

“Joker”, arrestohen 9 persona për lojëra fati të paligjshme në Tiranë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Joker”, duke arrestuar në flagrancë 9 persona të cilët organizonin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative për një lokal në zonën e Sharrës, ku po zhvilloheshin aktivitetet e paligjshme.

 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: D. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”;  O. M., 35 vjeç, E. H., 23 vjeç, A. Xh., 30 vjeç, L. Q., 22 vjeç, E. Gj. 33 vjeç, E. H., 24 vjeç, E. K., 33 vjeç, dhe J. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArsimi profesional, Gonxhja: Ofrohen 2 500 bursa, 60% e të diplomuarve u punësuan brenda vitit
Artikulli tjetërRezultatet nga reforma në ujësjellës, Balluku: 18.6% norma e arkëtimit