Ballina Aktualitet

Bashkëpunimi dypalësh, Hoxha pret ambasadoren e Kanadasë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha priti sot ambasadoren e Kanadasë, Elissa Goldberg me të cilën bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh, me fokus në çështjet e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Ministri Hoxha kërkoi intensifikim në çështje të bashkëpunimit policor, sidomos sa i përket shkëmbimit të informacionit midis strukturave për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit dhe mbështetjes në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit, zbatimin e letër-porosive e çështjeve të tjera të zbatimit të ligjit.

Ambasadorja shprehu gatishmërinë për mbështetje të Kanadasë ndaj Shqipërisë për çështjet me interes të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, pastrimi i parave, problemet e migracionit, si dhe për trajnimet profesionale dhe efektive të Policisë së Shtetit.

Hoxha vlerësoi si të rëndësishëm komunikimin dhe takimet midis strukturave të policisë së të dy vendeve.

Në takim u vlerësua fakti se Shqipëria dhe Kanadaja bashkëndajnë angazhimin dhe vlerat e përbashkëta për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Ambasadorja Goldberg gjithashtu e uroi ministrin Hoxha për detyrën e re si një nga detyrat më të rëndësishme të shtetit, duke i uruar një mandat të suksesshëm e rezultativ.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“La Belle De L’Adriatique” me 120 turistë francezë ankorohet në Durrës
Artikulli tjetërTërheqja nga Kombëtarja, FSHF falënderon Sokol Cikalleshin për kontributin me fanellën kuqezi