TEL AVIV, 19 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha sot se Izraeli ka pranuar propozimin e fundit të mbështetur nga SHBA-ja – për një armëpushim në Gazë dhe tani i takon Hamasit që të pajtohet me planin.
Njoftimi erdhi pasi Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për tre orë – në një përpjekje të fundit për të siguruar një marrëveshje armëpushimi në Gazë – dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi islamik palestinez Hamas.
Pas takimit me Netanyahun, Blinken u takua me familjet e pengjeve ndërsa qindra protestues demonstruan jashtë hotelit të tij, duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve.
Njoftimi i Blinken vjen disa orë përpara se presidenti amerikan Joe Biden të mbajë një fjalim në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike sot në Çikago, në të cilën zëvendëspresidentja Kamala Harris pritet të emërohet zyrtarisht si kandidatja demokrate për presidente në zgjedhjet e nëntorit. //a.i/























