MOSKË, 7 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Kievin për “provokim” – pasi Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se luftimet po vazhdojnë në rajonin kufitar rus, Kursk – ndërsa civilët po largohen nga një inkursion i raportuar ukrainas.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Putin tha se Ukraina kishte “inskenuar një tjetër provokim masiv, duke hapur zjarr me lloje të ndryshme armësh, duke përfshirë raketahedhës, në ndërtesat civile”.
Ministria e Mbrojtjes tha më herët se trupat ruse po vazhdojnë t’i përgjigjen inkursionit, një ditë pasi ajo pretendoi se kishte zmbrapsur ofensivën ukrainase në kufirin ukrainas-rus.
“Operacioni për të shkatërruar grupet e forcave të armatosura të Ukrainës po vazhdon”, tha ministria në një deklaratë,
“Humbjet përfshijnë të paktën 260 ushtarë ukrainas, 50 njësi pajisjesh dhe shtatë tanke”, shtoi ministria.
Në përgjigje të ofensivës, Komiteti Hetimor në Moskë, autoriteti më i lartë ndjekës i Rusisë, ka hapur procedime penale për atë që e përshkroi “si një sulm terrorist në territorin rus”.
Sipas autoriteteve ruse, mijëra civilë janë larguar nga fshatrat kufitare të përfshirë nga luftimet që nga e marta, me të paktën tre të vrarë dhe më shumë se 20 të plagosur. //a.i/























