Ballina Aktualitet

Mandati i Xhaçkës, grupi parlamentar i PD-së kërkon sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

“Për shkak të krizës kushtetuese të krijuar nga ana e Kuvendit, cenimit të themeleve të shtetit demokratik që ka vënë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zvarritjes së tejzgjatur prej më shumë se 2 viteve të kësaj çështjeje, që ka shkaktuar vonesa që e çojnë shqyrtimin në limitet kohore të mundësisë për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën publike të datës 10 Korrik 2024 të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, por edhe në paragrafin 65 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm dhe me përparësi i kësaj çështje nga Kuvend”, thuhet në kërkesën zyrtare të nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe 28 deputetë të opozitës.

Në kërkesë theksohet se mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga një prej subjekteve kushtetuese është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.

Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa është depozitua sot për shkak se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi sot me botimin e tij në Fletoren Zyrtare. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – BE: 108 miliardë euro në total për Ukrainën
Artikulli tjetërRUSI – Putini akuzon Kievin për ‘provokim’ mes luftimeve në Kursk