TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot se, është detyrë kryesore e Policisë së Shtetit parandalimi i ngjarjeve kriminale, duke vlerësuar rrezikun dhe u angazhuar në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale.
Balla nënvizoi se këto ngjarje të vjetra kriminale janë rrezik potencial për ngjarje të reja.
Balla reagoi edhe për ngjarjen me 3 viktima në Memaliaj, teksa u shpreh se, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë në Memaliaj.
Balla gjithashtu u shpreh se, Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale.
“Ndërsa drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë në Memaliaj ku presim zbardhjen sa më parë të jetë e mundur, Drejtoria Vendore Policisë Lezhë sapo ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale”, theksoi ai.
Balla nënvizoi se, “falë reagimit në kohë janë sekuestruar armët e zjarri dhe mina me telekomandë, të cilat do të përdoreshin dhe është ndaluar në flagrancë autori i dyshuar”.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, është finalizuar operacioni policor i koduar “Destinacioni”.
Një 48 vjeçari nga Pogradeci që udhëtonte me një taksi drejt Lezhës është kapur te “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë, dy mina me telekomandë dhe municion luftarak.
/r.e/























