Ballina Aktualitet

Përkeqësohet situata nga zjarri në Dropull e Finiq, Peleshi: Helikopteri Cougar dhe mbi 70 efektivë e zjarrëfikës në terren

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Era e fortë ka përkeqësuar situatën nga zjarri në bashkitë Dropull dhe Finiq.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau sot foto nga operacioni që po vijon prej mbrëmjes së djeshme për të shuar zjarrin në këtë zonë.

“Prej orësh, helikopteri Cougar, 21 efektivë të FA, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, efektivë të Policisë së Shtetit, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po punojnë për izolimin e flakëve dhe për shmangien e çdo rreziku për banorët e zonave”, u shpreh Peleshi.

Peleshi theksoi se, në zonat kodrinore ku zhvillohet pjesa më e madhe e zjarrit forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe vështirësisë për të ngjitur kodrat, ndaj është vlerësuar shtimi i kapaciteteve operacionale.

Ministri u bëri thirrje të gjithë banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret, të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre.

Peleshi shtoi se, efektivët e FA dhe forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri të plotë, në çdo moment, për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së përbashkët.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj me guidat dhe turistët që vizitojnë Tiranën: Kemi 1 milion vizitorë në muaj
Artikulli tjetërFRANCË – Le Pen përballet me akuza për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale