DYSELDORF, 24 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ Spanja kaloi në avantazh në minutën e 13-të përballë Shqipërisë me anë të sulmuesit Ferran Torres.
Torres shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen shqiptare, duke depërtuar nga e djathta dhe mposhtur Strakoshën.
Shqipëria dhe Spanja ndeshen sonte në orën 21:00 në Dyseldorf në sfidën e fundit të grupit B për EURO2024.
Trajneri i Shqipërisë Silvinjo ka bërë vetëm një ndryshim në krahasim me formacionin titullar që zbriti ndaj Kroacisë, duke ulur në stol Hysajn dhe duke futur në vend të tij Balliun.
Kështu në portë luan Strakosha. Në mbrojtje, Balliu, Ajeti, Gjimshiti (C), Mitaj. Në mesfushë Asllani, Ramadani, Laçi. Ndërsa në sulm janë Asani, Bajrami dhe Manaj.
Spanja vjen në këtë takim si një prej skuadrave favorite për të fituar EURO2024 pasi rezervoi vendin e saj në raundin e 16-të si fituese e Grupit B.
Për këtë trajneri De la Fuente ka zbritur në fushë me formacionin me disa ndryshime në krahasim me Italinë.
Ndërsa, Shqipëria kërkon tre pikët për të arritur një kualifikim historik në fazën e 1/16-ave në një kampionat evropian.
Formacionet zyrtare
Shqipëria: Strakosha, Balliu, Ajeti, Gjimshiti (C), Mitaj, Asllani, Ramadani, Laçi, Asani, Bajrami, Manaj.
Spanja: David Raya; Navas, Laporte, Vivian, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Ferran, Joselu, Oyarzabal.























