Ballina Bota

BRUKSEL – Komisioni i BE-së ofron 16 milionë euro për agjencinë palestineze të ndihmës

BRUKSEL, 31 maj /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian njoftoi sot se ka disbursuar 16 milionë euro (17,3 milionë dollarë) për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) për të ofruar shërbime shëndetësore dhe arsimore.

UNRWA ishte në qendër të vëmendjes në janar, kur Izraeli pretendoi se 12 nga punonjësit e agjencisë ishin të përfshirë në masakrat e Hamasit më 7 tetor dhe se organizata në tërësi ishte infiltruar nga grupi islamik. UNRWA është ofruesi kryesor humanitar në Gazë.

Si rezultat, donatorët e mëdhenj si Gjermania ndaluan përkohësisht fondet.

Një raport auditimi i kryer nga ekspertë të pavarur, të paraqitur në Nju Jork muajin e kaluar, arriti në përfundimin se UNRWA kishte krijuar një sërë mekanizmash “të fuqishëm” për të siguruar që parimi i neutralitetit të mbahej, dhe se kishte ende vend për përmirësim.

Paneli i ekspertëve deklaroi gjithashtu se Izraeli nuk kishte ofruar kurrë prova për disa nga pretendimet e tij.

Komisioni Evropian, i cili shërben si krahu ekzekutiv i BE-së, tha se po i dërgonte Autoritetit Palestinez, gjithashtu 25 milionë euro për të siguruar pagat dhe pensionet për nëpunësit civilë palestinezë në Bregun Perëndimor.

Ky është kësti i dytë që i paguhet Autoritetit Palestinez si pjesë e paketës së ndihmës prej 118,4 milionë eurosh të rënë dakord në dhjetor 2023.

Kësti i parë prej 25 milionë eurosh është paguar në muajin mars. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFinalet e “Euro 2024”, Kombëtarja shqiptare mbërrin në Austri
Artikulli tjetërKISHINJEV – Pistorius i premton Moldavisë mbështetje të vazhdueshme ushtarake mes luftës së Rusisë në Ukrainën fqinje