Ballina Aktualitet

Dhuna në protestën para Bashkisë së Tiranës, “detyrim paraqitjeje” për 4 të ndaluarit

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për 4 protestuesit e arrestuar për aktet e dhunës në protestën e së premtes të zhvilluar para Bashkisë së kryeqytetit.

Togat e zeza pasi shqyrtuan kërkesën e prokurorisë për të konfirmuar masën e sigurisë “Arrest me burg” dhe kërkesën e avokatëve mbrojtës për të lehtësuar masën e sigurisë, vendosën të pranojnë ndryshimin e masës së sigurisë. Gjykata vendosi që të ndaluarit të jenë në masë sigurie “Detyrim paraqitje”, si dhe u ndaloi atyre pjesëmarrje në tubime apo vende ku ka grumbullime njerëzish.

Shtetasit e ndaluar ishin Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të dy 18 vjeç, të cilët akuzohen për përdorim të lëndëve piroteknike. Franc Kaloshi, 35 vjeç, për ushtrim dhune ndaj punonjësve të policisë, si edhe Artan Muçmata, për kundërshtim të forcave të Policisë.

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, në një reagim për mediet tha se masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata është në shkelje të kushtetutës. “Një masë sigurie e padëgjuar më parë. U shpik një masë sigurie, që përpos “Detyrimit të Paraqitjes”, nuk i lejohet të dalin në vende publike dhe i ndalon të drejtën për të marrë pjesë në protestë, që është një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari shqiptarë”, tha Noka.

Protesta e të premtes nga opozita dhe Aleanca për Teatrin, para Bashkisë së Tiranës u përshkallëzua në përdorimin e hedhje të lëndëve piroteknike.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Matura Shtetërore 2024”, Manastirliu: Nga sot deri më 28 prill aplikimet për raundin e fundit
Artikulli tjetërFinancimi në bujqësi, Ibrahimaj takim me përfaqësues të sektorit bankar