Ballina Flash

Zhvillohet në Shkodër kupa “Agim Tafili” në çiklizëm

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Shkodra priti për 3 ditë më radhë aktivitetin Kupa “Agim Tafili” në çiklizëm.

Ky aktivitet është organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Komitetit Olimpik Shqiptar.

Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse ishin kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, të cilët gjatë fjalës së tyre kanë vlerësuar figurën e legjendës së çiklizmit shqiptar, Agim Tafili.

Të pranishëm në këtë ceremoni përmbyllëse të Kupës “Agim Tafili” ishin edhe familjarë të të ndjerit Agim Tafili dhe konkretisht djali i tij, futbollisti dhe trajneri Alsid Tafili, si dhe vëllai i Agim Tafilit, Shkëlqim Tafili, të cilët vlerësuan Federatën e Çiklizmit për nderimin që i bëjnë një figure kaq të madhe të sportit shqiptar, si edhe Bashkinë e Shkodrës për mbështetjen e vazhdueshme.

Pas fjalëve përshëndetëse të të pranishmëve është zhvilluar edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Kupës “Agim Tafili” për kategorinë Junior dhe U23/Elite, ndërkohë që ekipi më i mirë i aktivitetit u shpall ekipi i “Vllaznisë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE vendos për herë të parë sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor
Artikulli tjetërF1 – Kina stacioni i radhës