TIRANË, 17 prill/ATSH/ Shqipëria është përzgjedhur për të mirëpritur konferencën rajonale europiane të organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale Interpol, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datat 11-13 qershor.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë.
Balla tha se “Ministria e Brendshme kishte propozuar për mbledhjen e radhës të qeverisë dy akte. I pari ka të bëjë me organizimin e kësaj konference, e cila është një vlerësim së pari për Shqipërinë në tërësi, por po ashtu edhe për rezultatet e mira të arritura nga Policia e Shtetit, e cila në bashkëveprime dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese ka forcuar goditjen kundër krimit të organizuar, pandëshkueshmërisë, sepse kjo lidhet drejtpërsëdrejti me një etapë të re të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Interpol”.
“Ju e keni parë çdo ditë që Policia e Shtetit me këtë agjenci të rëndësishme ndërkombëtare po gjen dhe po ndalon me qëllim ekstradimin në Shqipëri apo nga Shqipëria në vende të tjera të personave të përfshirë në akte apo vepra të tjera penale. Në këtë këndvështrim ratifikimi më pas nga kuvendi i kësaj marrëveshje që ka të bëjë me organizimin në Tiranë të konferencës rajonale europiane është një moment, i cili natyrshëm do të shërbejë edhe për të mirëpritur në Shqipëri drejtuesit e Ministrive të Brendshme, por edhe drejtuesit e Policive të Shtetit të gjithë vendeve të Europës dhe po ashtu për të rritur e forcuar bashkëpunimin në nivel dypalësh me të gjitha policitë e vendeve europiane”, nënvizoi Balla.
Balla u shpreh se “Shqipëria po mirëpret samitet e BE-së, sikurse ndodhi në dhjetor të 2022, mirëpret samitet e Procesit të Berlinit, si dhe këtë samit të rëndësishëm të organizatës më të madhe të bashkëpunimit policor në botë, Interpol”.
/k.s/r.e/























