TIRANË, 8 prill/ATSH/ “Familjet shqiptare tashmë do të përballen edhe me rritjen e pajustifikuar të tarifës të ujit të pijshëm”, u shpreh sot Sekretarja për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin në Partinë Demokratike, Alfrida Marku.
Në një dalje për mediet, Marku tha se rritja e tarifave ndodh në një kohë që në të gjitha bashkitë në vend, shërbimi dhe infrastruktura në këtë sektor mbeten problem emergjent ende i pazgjidhur.
Sipas Markut, referuar vendimeve të Entit Rregullator të Ujit nga sot, qytetarët e Bashkisë Lezhë do paguajnë 12% më shtrenjtë faturën e ujit.; qytetarët e bashkive Mirditë e Kurbin do të paguajnë 50 % më shumë, ndërsa prej muajit shkurt, qytetarët e Bashkive Vlorë, Himarë dhe Selenicë paguajnë 33 % më shtrenjtë faturën e ujit.
“Ndërkohë, shoqëritë ujësjellës kanalizime Fier dhe Durrës kanë aplikuar për rritjen e tarifave të ujit; Shoqëritë ujësjellës kanalizime Shkodër, Kukës, Berat, Elbasan, janë gjithashtu në proces”, shtoi ajo.
“Kryetarët e Bashkive, bashkëpunëtor në këtë vendimmarrje abuzive, sot heshtin, sepse interesat e tyre politike peshojnë më shumë sesa problemet e qytetarëve”, tha Marku.
Partia Demokratike, sipas saj, iu bën thirrje bashkive, Ministrisë së Infrastrukturës, Entit Rregullator të Ujit, të marrin përgjegjësitë për t’iu shërbyer qytetarëve.
“Të revokojnë çdo vendim, të heqin dorë nga çdo iniciativë e gabuar dhe abuzive, të denoncojnë çdo vendim abuziv të cilitdo funksionar publik, që shkel interesat e qytetarëve, sikurse është së fundmi rritja e tarifës së ujit”, u shpreh Marku.






















